Secondary Adv

Ndizet beteja teknologjike SHBA-Kinë, Uashingtoni bllokon dërgesat e çipeve drejt Pekinit

Qeveria amerikane ka revokuar autorizimin që i lejonte kompanisë Taiwan Semiconductor Manufacturing Company (TSMC) të dërgonte lirshëm pajisje thelbësore nga SHBA drejt Kinës.

Vendimi hyn në fuqi më 31 dhjetor dhe pason masat e administratës Trump për të kufizuar dërgesat nga Samsung dhe SK Hynix drejt Kinës.

 

Kjo pritet të ndikojë ndjeshëm prodhimin në fabrikën kryesore të TSMC-së në Nanjing, Kinë, që krijon çipe të teknologjisë së mëparshme, pasi çdo dërgesë në të ardhmen do të kërkojë licensa eksporti. Megjithatë, prodhimi i çipeve më të avancuara të TSMC-së zhvillohet në Tajvan dhe SHBA, jo në Kinë.

 

“Ndërkohë që po vlerësojmë situatën dhe po marrim masat e duhura, duke përfshirë komunikimin me qeverinë amerikane, ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të siguruar funksionimin e pandërprerë të fabrikës sonë në Nanjing,” – tha TSMC në një deklaratë.

 

Vendimi vjen në një kohë kur gara mes SHBA-së dhe Kinës është ashpërsuar, me të dyja vendet që synojnë epërsinë në zhvillimin e teknologjive të avancuara.

 

Gjithashtu, ai vjen ndërsa dy superfuqitë vijojnë bisedimet tregtare. Më 12 gusht, të dyja palët ranë dakord të ulin përkohësisht tarifat për 90 ditë, para se të negocionin një zgjidhje përfundimtare.

 

Administrata e Biden vendosi kufizime ndaj industrisë së çipeve në Kinë në vitin 2022, por lejoi përjashtime për kompani të mëdha si TSMC, me kusht që ato të ndanin informacione të caktuara me qeverinë amerikane. Ende nuk dihet se sa shpejt do të lëshojë qeveria amerikane licensat e nevojshme, çka mund të ngadalësojë dërgesat dhe të pengojë prodhimin.

 

Kritikët e këtij vendimi paralajmërojnë se masa mund të nxisë inovacionin në Kinë, pasi kompanitë do të detyrohen të gjejnë furnitorë vendas. /Scantv


Më të lexuarat